Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, së bashku me qytetarë të shumtë, zhvilluan një protestë në sheshin qendror të qytetit në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Tubimi u organizua si reagim ndaj asaj që protestuesit e cilësojnë si fyerje dhe denigrim të figurave të luftës çlirimtare. Pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, ndërsa në pankarta shkruheshin mesazhe si “Unë studioj shqip falë UÇK” dhe “Stop fyerjeve ndaj UÇK”.
Organizatorët theksuan se protesta kishte për qëllim mbrojtjen e vlerave të luftës dhe historisë së vendit, duke sqaruar se nuk lidhej me mbështetjen e ndonjë individi të caktuar, por me një qëndrim më të gjerë qytetar.
Edhe qytetarët që iu bashkuan protestës u shprehën se ndihen të shqetësuar për mënyrën se si, sipas tyre, po trajtohen kontributet dhe figura të rëndësishme të luftës në hapësirën publike.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe pa incidente, ndërsa organizatorët paralajmëruan se do të vijojnë të reagojnë nëse situata të tilla përsëriten.
