Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi në Kuvendi i Shqipërisë se gjatë vitit 2025 janë marrë masa konkrete për garantimin e sigurisë ushqimore, veçanërisht në sektorin e qumështit.
Sipas tij, nga 32 mostra të analizuara për praninë e aflatoksinës M1, 13 rezultuan jokonforme. Për këto raste janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përfshirë bllokimin e mijëra litrave qumësht dhe produkteve të përpunuara.
Ministri theksoi se sistemi i kontrollit ka funksionuar në mënyrë efektive, duke ndjekur gjurmueshmërinë e produkteve deri në fermë dhe duke reaguar në kohë ndaj çdo rreziku për konsumatorin.
Ai shpjegoi se aflatoksina në qumësht nuk krijohet gjatë përpunimit, por vjen kryesisht nga ushqimi i kontaminuar i kafshëve, si misri apo koncentratet. Për këtë arsye, kontrollet janë shtrirë në të gjithë zinxhirin ushqimor – nga importi i ushqimit për kafshë deri te produkti final në treg.
Gjatë vitit 2025:
- janë vendosur 40 gjoba ndaj subjekteve që shkelin standardet
- janë dhënë dhjetëra paralajmërime
- është ndërprerë aktiviteti për 6 stabilimente
Salla theksoi se Shqipëria ka një bazë ligjore të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe se kontrollet kryhen nga institucione si AKU dhe strukturat veterinare në çdo hallkë të prodhimit.
