Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku në fokus ishte armëpushimi i fundit me Iranin dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Sipas Presidencës turke, gjatë telefonatës u diskutua nevoja për të shfrytëzuar periudhën dyjavore të armëpushimit si një mundësi për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Erdogan shprehu mbështetjen për armëpushimin dhe theksoi se kjo periudhë duhet përdorur në mënyrë efektive për të shmangur përshkallëzime të reja të konfliktit. Ai paralajmëroi gjithashtu kundër çdo përpjekjeje për të minuar procesin diplomatik.
Gjatë bisedës, lideri turk nënvizoi se Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, në bashkëpunim me vende të tjera, përfshirë Pakistanin.
Telefonata vjen në një moment kritik për rajonin, ndërsa aktorët ndërkombëtarë po përpiqen të stabilizojnë situatën pas tensioneve të fundit.
