Një analizë e BIRN ngre shqetësime të forta për ndikimin e korrupsionit në zhvillimin ekonomik të Shqipëri, duke argumentuar se fenomeni nuk është thjesht i pranishëm, por ka marrë karakter sistemik.
Sipas analizës, pretendimi i kryeministrit Edi Rama se rritja ekonomike përjashton ekzistencën e korrupsionit nuk qëndron, pasi ekonomia mund të rritet edhe në kushte korrupsioni, por jo në potencialin e saj të plotë.
BIRN thekson se korrupsioni sjell keqalokim të burimeve, dëmton kapitalin ekonomik dhe ul efikasitetin e tregut, duke krijuar barriera për zhvillimin afatgjatë.
Në këtë kontekst, përmenden edhe raste konkrete si AKSHI dhe çështja e lidhur me ish-zyrtarë të lartë, të cilat sipas analizës tregojnë se korrupsioni nuk është episodik, por i strukturuar në sistem.
Analiza vë në dukje se gjatë dekadave të fundit Shqipëria ka pasur rritje ekonomike, por kjo nuk përjashton praninë e korrupsionit, madje sipas saj, rritja e buxhetit publik rrit edhe mundësitë për abuzim.
BIRN argumenton se dallimi kryesor qëndron mes korrupsionit individual dhe atij sistemik. Ky i fundit, sipas analizës, krijon monopole, deformon konkurrencën dhe largon investimet, duke penguar ekonominë të arrijë nivele më të larta zhvillimi.
Në përfundim, theksohet se me një ritëm aktual rritjeje rreth 3%, Shqipëria rrezikon të mbetet pas vendeve të tjera europiane, ndërsa një ekonomi e lirë nga korrupsioni mund të arrinte norma shumë më të larta zhvillimi.
