Nga mosmarrja e pagës te refuzimi i shërbimeve, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi zbulon ku po diskriminohen më shumë të huajt në Shqipëri

Data

Në një kohë kur Shqipëri synon të tërheqë nomadë digjitalë dhe profesionistë të huaj, të dhënat tregojnë se diskriminimi ndaj tyre mbetet një sfidë reale për integrimin në vend.

Sipas raportimeve të Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjatë vitit 2025 janë trajtuar 11 ankesa dhe një çështje e nisur me iniciativë të institucionit, që lidhen me trajtimin e shtetasve të huaj në Shqipëri.

Problematikat më të shpeshta janë evidentuar në tre fusha kryesore: marrëdhëniet e punësimit, aksesin në të mira dhe shërbime, si dhe arsimin. Konkretisht, 5 ankesa lidhen me shërbimet, 5 me punësimin dhe 2 me arsimin.

Në fushën e punësimit janë raportuar raste të rënda, si mosdhënia e pagave për shkak të fesë apo racës, trajtim i padrejtë nga punëdhënësit dhe mashtrime me kontrata pune, përfshirë edhe sektorin sportiv. Ndërsa në shërbime, të huajt kanë raportuar refuzime në ambiente private, përfshirë aktivitete apo qendra estetike.

Edhe në arsim janë evidentuar raste shqetësuese, si mosnjohja e programeve mësimore nga institucionet përkatëse, apo trajtim diskriminues ndaj fëmijëve për shkak të pamjes apo identitetit të supozuar gjinor.

Raporti thekson gjithashtu se diskriminimi shfaqet edhe në hapësirat publike dhe digjitale, përmes gjuhës urrejtëse dhe paragjykimeve të lidhura me orientimin seksual apo identitetin gjinor.

Nga 11 ankesat, shumica janë paraqitur nga gra, çka mund të tregojë një ekspozim më të lartë të tyre ndaj diskriminimit në tregun e punës dhe në shërbime.

Ndërkohë, numri i shtetasve të huaj që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2025 janë regjistruar 27,514 të huaj me leje qëndrimi, ku pjesa më e madhe janë për arsye punësimi.

Këto zhvillime tregojnë se, ndërsa Shqipëria synon të pozicionohet si një destinacion për talent dhe investime ndërkombëtare, mbetet ende nevoja për përmirësim të standardeve të trajtimit dhe garantimin e barazisë për të gjithë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related