SHBA rrit presionin ndaj Iranit, Trump lë gjithçka të hapur ndërsa Teherani refuzon armëpushimin

Data

Tensionet mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa Donald Trump ka paralajmëruar se kjo e martë mund të jetë “dita vendimtare” që do të përcaktojë fatin e konfliktit.

Presidenti amerikan ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë, duke theksuar se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore. Ai e cilësoi propozimin e fundit të Teheranit si “një hap të madh”, por të pamjaftueshëm për të shmangur përshkallëzimin.

“Do të shohim se çfarë ndodh. Lufta mund të përfundojë shpejt nëse ata bëjnë disa veprime të caktuara”, deklaroi Trump, duke nënvizuar se afati i vendosur është përfundimtar.

Irani refuzon armëpushimin

Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar propozimin për një armëpushim 45-ditor të ndërmjetësuar nga Pakistani, duke këmbëngulur për një marrëveshje të plotë dhe të përhershme.

Teherani ka propozuar një plan alternativ me 10 pika, ndërsa e konsideron presionin dhe ultimatumet si të papranueshme. Refuzimi i armëpushimit ka shtuar ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit.

Paralajmërimi i Pentagonit

Edhe Pentagoni ka rritur tonet, duke theksuar se kërcënimet e SHBA-së nuk janë retorikë.

Shefi i Pentagonit paralajmëroi se Irani duhet të “zgjedhë me mençuri”, duke lënë të kuptohet se një operacion ushtarak në shkallë të gjerë mbetet një opsion real.

Ai shtoi se dita e sotme mund të shënojë intensifikimin më të madh të sulmeve që nga fillimi i konfliktit.

Operacioni i shpëtimit dhe mesazhi politik

Ndërkohë, Trump vlerësoi një operacion të fundit ushtarak për shpëtimin e dy pilotëve amerikanë në territorin iranian, duke e cilësuar si një ndërhyrje historike.

Sipas tij, operacioni përfshiu dhjetëra avionë dhe helikopterë, duke dëshmuar, sipas presidentit, kapacitetin ushtarak të SHBA-së dhe vendosmërinë për të mos lënë asnjë ushtar pas.

Drejt një përshkallëzimi?

Me ultimatumet në fuqi dhe refuzimin e armëpushimit nga Irani, situata mbetet tejet e tensionuar. Ekspertët paralajmërojnë se çdo vendim në orët në vijim mund të çojë ose drejt një marrëveshjeje të papritur, ose drejt një përshkallëzimi të madh ushtarak me pasoja globale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related