Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë në European Union nuk është bllokuar nga asnjë vend anëtar dhe se negociatat po vijojnë normalisht.
Gjatë një interviste televizive, Hoxha theksoi se ndonëse disa vende kanë ngritur pyetje dhe kërkesa shtesë, kjo është pjesë e natyrës së procesit dhe nuk përbën pengesë për avancimin e Shqipërisë.
“Procesi nuk është bllokuar dhe as nuk është ngadalësuar. Ai është kompleks dhe shumë kërkues,” u shpreh ministri.
Sipas tij, Shqipëria është duke negociuar në kuadër të metodologjisë së re të zgjerimit, ku janë përmbushur dhjetëra kritere dhe reforma që janë vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Europian.
Hoxha theksoi se përparimi në proces varet nga besimi që krijohet te vendet anëtare, të cilat kanë të drejtën të kërkojnë sqarime dhe standarde më të larta.
“Vendet anëtare bëjnë pyetje, kjo është normale. Por asnjë prej tyre nuk e ka bllokuar Shqipërinë,” shtoi ai.
Ministri nënvizoi gjithashtu se procesi i anëtarësimit është një rrugë e gjatë dhe sfiduese, ku çdo hap kërkon përmbushjen e standardeve të larta në fusha të ndryshme.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të negociatave dhe vijon të ecë përpara drejt hapjes dhe mbylljes së kapitujve.
