Anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka ngritur shqetësimin për ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në ekonominë shqiptare, duke paralajmëruar pasoja të rënda sociale.
Gjatë një interviste televizive, Teliti u shpreh se rritja e çmimit të naftës prek drejtpërdrejt çdo sektor të ekonomisë, nga transporti urban dhe ndërurban deri te çmimet e produkteve bazë, pasi shumica e mallrave transportohen me mjete rrugore.
Ai iu referua të dhënave të Eurostat, sipas të cilave rreth 42% e popullsisë në Shqipëri ndodhet në varfëri ose në rrezik varfërie, duke theksuar se kjo shifër pritet të rritet nëse nuk merren masa konkrete.
Sipas Telitit, mungesa e ndërhyrjes nga qeveria dhe rritja e vazhdueshme e kostove po rëndojnë mbi qytetarët, ndërkohë që të ardhurat nuk po rriten në të njëjtin ritëm.
Ai bëri thirrje për reagim qytetar dhe protesta, duke marrë si shembull vendet europiane, ku sipas tij edhe rritje të vogla të çmimeve kanë nxitur reagime të forta publike.
Teliti shtoi se emigrimi masiv dhe dobësimi i shtresës së mesme kanë ndikuar në uljen e reagimit qytetar në Shqipëri, por theksoi se pa presion publik, situata nuk do të ndryshojë.
