Gjermania ka vendosur një rregull të ri që prek meshkujt nga 17 deri në 45 vjeç, të cilët nuk mund të qëndrojnë më shumë se tre muaj jashtë vendit pa marrë miratim nga autoritetet shtetërore.
Ky ndryshim ka hyrë në fuqi që prej 1 janarit dhe është pjesë e reformës për modernizimin e shërbimit ushtarak, një paketë që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse në një klimë gjithnjë e më të tensionuar sigurie në Evropë.
Sipas autoriteteve, qëllimi kryesor nuk është kufizimi i lëvizjes, por krijimi i një regjistri të saktë për shtetasit jashtë vendit, në rast se lind nevoja për mobilizim. Lejet pritet të jepen normalisht, por kontrolli shtetëror do të jetë më i madh.
Baza ligjore e këtij rregulli lidhet me ligjin për shërbimin ushtarak të vitit 1956, i cili është përditësuar disa herë ndër vite. Më parë, detyrimi për raportim zbatohej vetëm në raste lufte ose mobilizimi kombëtar.
Reforma është pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur fuqinë ushtarake të vendit, me synimin që numri i trupave aktive të arrijë deri në 260 mijë deri në vitin 2035. Ndërkohë, është rikthyer edhe shërbimi ushtarak vullnetar, ku të rinjtë ftohen të shprehin interes për t’u bashkuar me ushtrinë.
Nga viti 2027, pritet që të rinjtë të kalojnë edhe teste fizike për të vlerësuar gatishmërinë për shërbim në raste emergjente. Gratë mund të regjistrohen vullnetarisht, por nuk janë të detyruara me ligj.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht nga të rinjtë, të cilët kundërshtojnë mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm. Megjithatë, qeveria gjermane e konsideron këtë hap të domosdoshëm përballë sfidave të reja të sigurisë në rajon.
