Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani mbetet i hapur për bisedime paqeje me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se negociatat mund të zhvillohen përmes ndërmjetësimit të Pakistan.
Në një reagim publik, Araghchi u shpreh se Irani “nuk ka refuzuar kurrë” pjesëmarrjen në bisedime dhe vlerësoi përpjekjet e Pakistanit për të ndërmjetësuar një armëpushim.
Megjithatë, ai theksoi se prioritet për Teheranin mbeten kushtet përfundimtare dhe të qëndrueshme të paqes, duke nënvizuar se vendi nuk është i gatshëm të pranojë kërkesa që i konsideron të papranueshme.
Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në se po përdor bisedimet si një taktikë për të fituar kohë dhe për të intensifikuar sulmet ushtarake.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet diplomatike vijojnë për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
