SPAK ka avancuar hetimet për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, duke marrë të pandehur tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Sipas burimeve, zyrtarëve u është komunikuar akuza për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me procedurën që shpalli fitues konsorciumin e kompanive ku përfshihej edhe biznesmeni Behgjet Pacolli.
Hetimet përfshijnë periudhën nga shpallja e koncesionit në vitin 2019 deri në përmbylljen e procedurës në mars 2021. Dyshohet se përmes veprimeve ose mosveprimeve, anëtarët e KVO kanë favorizuar operatorët fitues të projektit me vlerë mbi 100 milionë euro.
Kontrata për ndërtimin dhe operimin e aeroportit u firmos në vitin 2021 nga ish-ministrja Belinda Balluku. Më pas, projekti u shoqërua me ndryshime në strukturën e aksionerëve dhe konflikte mes kompanive pjesëmarrëse.
Ndërkohë, SPAK vijon hetimet për implikime të mundshme të zyrtarëve të tjerë, përfshirë nivele më të larta, ndërsa çështja është kthyer tashmë në një dosje penale aktive.
