Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka reaguar me tone ironike ndaj zhvillimeve të fundit në konfliktin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një postim publik, ai komentoi raportimet për rrëzimin e një avioni luftarak amerikan në territorin iranian, duke e kthyer situatën në një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj strategjisë amerikane.
“Lufta që nisi me synimin për ndryshim regjimi, tani duket se është reduktuar në kërkimin e pilotëve”, ironizoi ai, duke sugjeruar dështim të objektivave fillestare të SHBA-së.
Reagimi i Ghalibaf vjen edhe në kontekstin e deklaratave të mëparshme të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më 31 mars kishte pretenduar se në Iran kishte ndodhur një ndryshim regjimi dhe se udhëheqja e re ishte më pak radikale.
Në një tjetër reagim, zyrtari iranian vijoi me të njëjtin ton sarkastik, duke e quajtur situatën “një përparim mbresëlënës” dhe rezultat të “gjenialitetit absolut”.
Deklaratat pasqyrojnë përshkallëzimin e retorikës mes palëve, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe situata vijon të zhvillohet në mënyrë të paparashikueshme.
