Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja për karburantet në tregun shqiptar, të cilat hynë në fuqi sot, më 3 prill 2026, nga ora 20:00.
Sipas vendimit, çmimi i naftës (gazoil) për shitje me pakicë do të jetë maksimumi 224 lekë për litër, ndërsa për shitje me shumicë deri në 212 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i benzinës është përcaktuar maksimumi 181 lekë për litër në pakicë dhe 169 lekë për litër në shumicë.
Ky ndryshim vjen pas uljes së akcizës me 20%, që së bashku me efektin e TVSH-së përkthehet në një ulje prej rreth 9.5 lekësh për litër për konsumatorët.
Autoritetet kanë theksuar se të gjitha subjektet që tregtojnë karburante janë të detyruara të zbatojnë këto çmime, duke paralajmëruar masa të forta, deri në pezullim aktiviteti, për çdo shkelje.
Institucionet përgjegjëse kanë deklaruar se synimi i këtij vendimi është mbrojtja e konsumatorëve dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg.
