Një skandal i madh me fondet bujqësore ka tronditur politikën në Greqia, duke çuar në dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Ministri i Zhvillimit Rural, Kostas Tsiaras, ministri i Mbrojtjes Civile, Giannis Kefalogiannis, si dhe zv.ministri i Shëndetësisë, Dimitris Vartzopoulos, kanë paraqitur dorëheqjet e tyre, të cilat sipas raportimeve janë kërkuar nga vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Po ashtu, dorëheqje ka dhënë edhe sekretari i përgjithshëm i partisë në pushtet, Kostas Skrekas.
Ky zhvillim vjen pasi Prokuroria Evropiane i dërgoi Parlamentit grek një dosje të re për skandalin e OPEKEPE-së, institucioni përgjegjës për shpërndarjen e subvencioneve bujqësore.
Në dosje kërkohet heqja e imunitetit për 11 deputetë aktualë, ndërsa në total nën hetim janë përfshirë edhe 9 të tjerë, përfshirë ish-ministra dhe ish-zyrtarë të lartë.
Hetimet lidhen me përfitime të paligjshme të subvencioneve në vitin 2021, përmes deklarimeve të rreme dhe manipulimeve për të favorizuar aplikime të caktuara.
Pas dorëheqjeve, qeveria ka bërë edhe ndryshime të menjëhershme në kabinet. Postin e ministrit të Zhvillimit Rural e ka marrë Margaritis Schinas, ndërsa në krye të Mbrojtjes Civile është emëruar Evangelos Tournas.
Ky veprim i kryeministrit Mitsotakis shihet si një përpjekje për të dhënë mesazhin se qeveria nuk do të tolerojë raste korrupsioni dhe do të reagojë menjëherë ndaj çdo skandali.
Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm për qeverinë greke, e cila është përballur së fundmi me kritika për disa çështje, përfshirë skandalet politike, tragjeditë hekurudhore dhe rritjen e kostos së jetesës.
