Si po menaxhohen pronat publike nga Korporata Shqiptare e Investimeve?

Data

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë në pah shkelje serioze në veprimtarinë e Korporatës Shqiptare të Investimeve, duke ngritur dyshime të forta mbi mënyrën se si po administrohen dhe jepen për zhvillim pronat publike.

Sipas raportit të auditimit, Korporata nuk ka arritur të krijojë një sistem që garanton përdorimin e pronës shtetërore në interes të qytetarëve. Në disa projekte të rëndësishme, përfshirë zonën e ish-stadiumit “Selman Stërmasi”, ish-Kadastrën dhe ish-ATSH-në, KLSH konstaton mungesë të analizave të plota për kostot, përfitimet, rreziqet dhe vlerën reale të pronës.

Raporti thekson se nuk ka dokumente të qarta për mënyrën si përzgjidhen pronat, nuk ka manuale apo rregullore të mirëpërcaktuara dhe mungojnë studimet e fizibilitetit që do të justifikonin dhënien e tyre privatëve. Sipas auditit, deri në mesin e vitit 2024, Korporata nuk kishte hartuar asnjë akt nënligjor apo procedurë të shkruar për menaxhimin e këtyre aseteve, edhe pse i ishin transferuar dhjetëra prona publike.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo mënyrë veprimi krijon rrezik për nënvlerësim të pronave shtetërore dhe për kontrata që favorizojnë privatët në mënyrë të pabarabartë. Sipas tyre, kur kontratat nënshkruhen pa garë reale dhe pa analizë përfitueshmërie, dëmi ekonomik mund të bëhet i pakthyeshëm.

Një tjetër problem i ngritur nga KLSH është fakti se procedurat e Korporatës nuk bazohen te ligji i prokurimeve publike, por te rregullat e saj të brendshme. Kjo do të thotë se vendimet për dhënien e pronave nuk mund të ankohen në Komisionin e Prokurimit Publik, duke kufizuar kontrollin dhe transparencën.

Auditimi evidenton edhe raste të klientelizmit të mundshëm, si një kontratë konsulence e lidhur pa procedurë të hapur konkurrimi, ku përfitimet për privatët mbeten të paqarta. Ekspertët paralajmërojnë se ky model mund të kthehet në një skemë të rrezikshme, ku prona publike kalon de facto në përdorim privat përmes një institucioni ndërmjetës, pa garë dhe pa mbikëqyrje efektive.

Po ashtu, KLSH ka evidentuar humbje të konsiderueshme financiare në Korporatë, që lidhen me projekte të pakryera dhe me shpenzime të larta administrative. Sipas raportit, humbjet janë rritur nga viti në vit, ndërsa nuk janë marrë masa konkrete për të përmirësuar eficiencën dhe për të ulur kostot.

Në përgjigjet e saj, Korporata Shqiptare e Investimeve ka deklaruar se ka nisur punën për hartimin e manualeve dhe procedurave të nevojshme, por KLSH këmbëngul se problematika mbetet serioze dhe kërkon reforma të thella për të mbrojtur pronën publike dhe interesin e taksapaguesve shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related