Paralajmërimi i Ambasadës së SHBA për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin ka shkaktuar debat të fortë politik në Kuvend.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e cilësoi situatën serioze dhe kërkoi reagim të menjëhershëm institucional, duke i bërë thirrje Presidentit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Sipas tij, njoftimi i SHBA nuk mund të kalojë pa analizë dhe transparencë. “Është një çështje serioze që duhet trajtuar me përgjegjësi. Qeveria duhet të japë shpjegime dhe të informojë Kuvendin për masat e marra,” deklaroi Shehu.
Nga ana tjetër, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u përpoq të qetësonte situatën, duke theksuar se nuk ka arsye për alarm.
Ai bëri të ditur se institucionet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n dhe autoritetet amerikane, dhe se çdo zhvillim po monitorohet nga afër.
“Vlerësimi aktual është që nuk ka rrezik të menjëhershëm. Do të informojmë publikun për çdo zhvillim të ri përmes kanaleve zyrtare,” u shpreh Hoxha.
Debati nxjerr në pah ndarjen mes opozitës dhe qeverisë mbi mënyrën e trajtimit të çështjeve të sigurisë, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare vijojnë të mbeten të larta.
