Atentati i Rinasit, në gjyq dy ish-drejtues të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për punësimin e paligjshëm të agjentit të lidhur me krimin

Data

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy ish-zyrtarë të lartë të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, të akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me një nga ngjarjet më të rënda kriminale të kohëve të fundit, atentatin e Rinasit.

Në bankën e të akuzuarve janë ish-drejtori i Përgjithshëm Artjol Saliasi dhe ish-drejtori i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, Gëzim Sala. Sipas organit të akuzës, ata kanë mundësuar punësimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit, i njohur si “Sheqeri”.

Hetimet kanë zbuluar se Shaljani është emëruar në AMP pa kaluar asnjë nga procedurat ligjore të detyrueshme, si shpallja e vendit vakant, testimet apo verifikimet e figurës. Punësimi i tij është justifikuar me “nevoja emergjente”, por sipas prokurorisë, nuk ka ekzistuar asnjë kërkesë reale për një rekrutim të tillë.

Më tej, rezulton se Shaljani ka përfituar pagë për disa javë, pa u paraqitur asnjëherë në punë dhe pa ushtruar funksion konkret. Dokumentacioni është përgatitur nga drejtori i financës, ndërsa vendimi final është marrë nga drejtori i përgjithshëm.

Rasti merr një dimension edhe më të rëndë pasi Shaljani humbi jetën pak ditë pas atentatit të bujshëm në Rinas në nëntor 2025. Në atë ngjarje mbeti i vrarë në vend edhe Gilmando Dani, i cili dyshohet se ishte objektivi i sulmit.

Ngjarja tronditi opinionin publik, sidomos pasi u zbulua lidhja e viktimës me strukturat e sigurisë, çka çoi edhe në arrestimin e disa efektivëve policorë. Ndërkohë, hetimet për atentatin mafioz vijojnë ende, pa autorë të identifikuar.

Dosja për atentatin tashmë ndodhet në duart e SPAK, ndërsa çështja për shpërdorimin e detyrës ndaj ish-zyrtarëve të AMP do të shqyrtohet nga gjykata në ditët në vijim.

Ky zhvillim pritet të hedhë më shumë dritë mbi lidhjet mes strukturave shtetërore dhe elementëve kriminalë, si dhe mbi përgjegjësitë institucionale në një prej ngjarjeve më të rënda në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related