Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një “luftë frontale” ndaj oligopoleve në Shqipëri, duke i cilësuar ato si problemin kryesor të ekonomisë dhe të jetesës së qytetarëve.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha theksoi se fenomeni nuk prek vetëm sektorin e hidrokarbureve, por shtrihet edhe te produktet bazë si sheqeri, mishi dhe ushqimet e përditshme.
“Sot problemi më madhor janë oligopolet. Ato po funksionojnë në mënyrë antitreg dhe antiqytetar,” u shpreh ai.
Sipas tij, mungesa e konkurrencës dhe marrëveshjet e fshehta mes kompanive kanë çuar në rritje të çmimeve, ndërsa institucionet nuk po mbrojnë konsumatorin.
Berisha u ndal veçanërisht te çmimet e karburanteve, duke theksuar se taksat e larta janë një faktor kryesor që rëndon qytetarët.
“Kur në SHBA një litër kushton rreth 1 dollar dhe këtu vetëm taksa është mbi 1 dollar, kjo nuk ka logjikë ekonomike,” deklaroi ai.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për raportin mes çmimeve dhe fuqisë blerëse, duke theksuar se Shqipëria ka çmime më të larta se vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht të ardhurave më të ulëta.
Në vijim, lideri i opozitës akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për lidhje me oligopolet dhe për mosveprim ndaj abuzimeve në treg.
Në përfundim, Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 17 prill, si dhe për forcimin e strukturave të Partisë Demokratike përmes anëtarësimeve të reja.
