Situata në Lindjen e Mesme po përkeqësohet me shpejtësi, pasi Tel Aviv është goditur nga një valë sulmesh me raketa të lëshuara nga Irani, ku sipas raportimeve janë regjistruar të paktën pesë goditje brenda vetëm 20 minutash.
Sulmet kanë rritur ndjeshëm frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon, ndërsa paralelisht vijojnë deklaratat kontradiktore në arenën ndërkombëtare.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani kishte kërkuar një armëpushim, duke sinjalizuar mundësinë e një fundi të afërt të luftës. Megjithatë, kjo u mohua nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili theksoi se nuk ka asnjë propozim të tillë nga Teherani.
Edhe Garda Revolucionare Iraniane reagoi ashpër, duke i cilësuar deklaratat e Trump si “demonstrim qesharak”.
Ndërkohë, raportime të tjera flasin për sulme të mundshme iraniane edhe në Bahreini, ku dyshohet se është goditur një strukturë e Amazon, çka shton shqetësimet për zgjerimin e konfliktit përtej Izraelit.
Pavarësisht zhvillimeve ushtarake, tregjet financiare në SHBA reaguan pozitivisht, me rritje në Wall Street, të ndikuara nga shpresat për një zgjidhje diplomatike.
Megjithatë, në terren situata mbetet e tensionuar, ndërsa rajoni përballet me rrezikun e një përshkallëzimi të gjerë ushtarak.
