Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, kreu i saj Sali Berisha u ka dhënë porosi deputetëve për forcimin e strukturave të partisë përmes anëtarësimeve të reja.
Berisha theksoi se procesi i zgjedhjeve në degët lokale po zhvillohet normalisht, por nënvizoi se prioriteti kryesor në këtë moment duhet të jetë zgjerimi i bazës së anëtarësisë.
“Detyrë më e rëndësishme sot janë anëtarësimet e reja. Është jetike për PD ky proces”, u shpreh ai, duke u bërë thirrje deputetëve të angazhohen maksimalisht në këtë drejtim.
Sipas tij, partia përballet me një “problem madhor” që lidhet me atë që e quajti “spastrimi etik”, duke e lidhur këtë me politikat e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Në këtë kuadër, Berisha kërkoi nga përfaqësuesit demokratë që të kontribuojnë në mënyrë aktive në rritjen e anëtarësimeve, duke e konsideruar këtë si një hap kyç për forcimin e partisë në të ardhmen.
