Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Fier–Patos, pranë fshatit Mbyet.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete të tipit “Volkswagen” janë përplasur “kokë më kokë” në rrethana ende të paqarta.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët kanë mbetur të plagosur rëndë. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se një nga shkaqet mund të ketë qenë shpejtësia mbi normat e lejuara.
