Pas 108 ditësh protestë përpara Kryeministrisë, Adriatik Lapaj ka vendosur të mbyllë këtë fazë të qëndresës, por paralajmëron se aksioni qytetar do të vijojë në forma të tjera.
Në një intervistë televizive, Lapaj deklaroi se gjatë kësaj periudhe është proceduar 6 herë, duke e cilësuar këtë si një përndjekje të hapur nga shteti ndaj tij dhe aktivistëve. Sipas tij, në total janë proceduar 31 persona për protesta, ndërsa akuzat po rrëzohen gradualisht në Prokurori.
Ai theksoi se protesta e nisur më 8 dhjetor 2025 ka qenë një provë e qëndrueshmërisë dhe organizimit qytetar, ku janë zhvilluar mbi 60 forume dhe disa protesta të mëdha, me pjesëmarrje që në disa raste ka arritur deri në 3-4 mijë qytetarë.
Lapaj u shpreh se vendi përballet me një krizë të thellë besimi dhe se qytetarët kanë dy rrugë: ose të nënshtrohen, ose të luftojnë për ndryshim. Ai paralajmëroi gjithashtu një protestë të re gjatë kësaj jave, e cila do të organizohet nën logon e lëvizjes së tij.
Sa i përket zhvillimeve politike, ai nuk përjashtoi mundësinë për të kandiduar në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke theksuar se është i gatshëm të garojë dhe të ofrojë një alternativë për qytetarët.
Në fund, Lapaj u distancua qartë nga opozita tradicionale, duke deklaruar se nuk do t’u bashkohet protestave të Partia Demokratike e Shqipërisë. Ai shtoi se nëse Sali Berisha zgjedh të përballet i vetëm me qeverinë, kjo është një zgjedhje e tij personale.
