Telefonata mes Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin vulos marrëveshjen e re për gazin rus

Data

Serbia ka arritur një marrëveshje të re për furnizimin me gaz natyror nga Rusia, duke zgjatur kontratën ekzistuese për një periudhë tre mujore.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti Aleksandër Vuçiç, pas një bisede telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin. Sipas marrëveshjes, Serbia do të importojë rreth 6 milionë metra kub gaz, me një çmim që varion nga 320 deri në 330 dollarë për 1 mijë metra kub.

Vuçiç i cilësoi kushtet si “shumë të favorshme”, duke theksuar se marrëveshja garanton stabilitet energjetik për vendin në një periudhë të ndjeshme për tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për diversifikim pas nisjes së luftës në Ukrainë, Serbia vazhdon të mbetet thellësisht e varur nga furnizimi rus, duke mbuluar mbi 80% të nevojave të saj për gaz nga Moska.

Ekspertët theksojnë se kjo varësi lidhet si me faktorë ekonomikë, për shkak të çmimeve më të ulëta dhe infrastrukturës ekzistuese, ashtu edhe me konsiderata politike. Beogradi po përpiqet të balancojë marrëdhëniet tradicionale me Rusinë me aspiratat për integrim në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po intensifikon përpjekjet për të reduktuar varësinë nga energjia ruse, me objektivin për të ndaluar importet e gazit dhe naftës nga Rusia deri në vitin 2028. Kjo e vendos Serbinë përballë një sfide strategjike në orientimin e saj energjetik dhe politik në vitet në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related