Debatet brenda Partia Socialiste e Shqipërisë kanë dalë në sipërfaqe pas përplasjeve të forta mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres Elisa Spiropali gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe socialisti Arbian Mazniku, i cili theksoi se diskutimet e brendshme të partisë nuk duhet të bëhen pjesë e debatit publik.
“Njerëzit mund të duan detaje, por këto janë çështje që diskutohen në forumet e PS,” u shpreh Mazniku, duke vlerësuar gjithashtu kontributin e Spiropalit në parti.
Tensionet shpërthyen gjatë një diskutimi për strategjinë e komunikimit, ku ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, u përplas me Spiropalin pas një reagimi të kësaj të fundit në sallë.
Sipas burimeve, situata u përshkallëzua me ndërhyrjen e kryeministrit Rama, i cili i kërkoi Spiropalit të mos ndërhynte dhe më pas i është drejtuar me tone të ashpra, duke paralajmëruar edhe largimin e saj nga mbledhja.
Debati vazhdoi me kërkesën e Spiropalit për një ndjesë nga ministrja Ismaili, ndërsa tensioni u ul vetëm pas ndërhyrjes së Erion Braçe.
Ngjarja pasqyron një klimë të tensionuar brenda socialistëve, në një moment kur brenda partisë po shtohen zërat kritikë dhe debatet për drejtimin dhe organizimin e saj.
