Detaje të reja kanë dalë nga mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e cila është shoqëruar me tensione dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta nga kryeministri Edi Rama ndaj disa deputetëve dhe ish-ministrave.
Sipas burimeve, një nga episodet ka përfshirë deputetin Damian Gjiknuri, të cilit Rama i ka tërhequr vëmendjen për përdorimin e telefonit gjatë mbledhjes.
“Damian, lëre telefonin se më shpërqendron kur flas. Nuk e kam problem t’i çosh informacionet medias, se të gjithë në këtë sallë e bëjnë”, mësohet të ketë thënë kryeministri.
Gjiknuri është përgjigjur shkurt, duke e vendosur telefonin mënjanë.
Një tjetër moment tensioni ka ndodhur me ish-ministrin Ervin Hoxha, për të cilin Rama ka komentuar përdorimin e telefonit gjatë takimit.
“Boll o Ervin, i çove mesazhe policëve”, i është drejtuar ai, sipas burimeve.
Përtej këtyre episodeve, kryeministri ka shprehur shqetësim edhe për çështje të tjera politike, përfshirë reagimet e deputetëve lidhur me protestën e banorëve të zonës së Rrjollit.
Rama u ka kërkuar deputetëve socialistë të qarkut Shkodër që të mos mbështesin pretendime që, sipas tij, nuk kanë bazë ligjore, duke theksuar se një grup pune ka konstatuar mungesë dokumentacioni të rregullt pronësie dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara.
Mbledhja e fundit e socialistëve duket se ka nxjerrë në pah një klimë të tensionuar brenda shumicës, me kritika të drejtpërdrejta dhe përplasje të hapura mes drejtuesve dhe deputetëve.
