Rritja e çmimit të naftës, Edi Rama: Bordi i Transparencës nuk vendos çmime arbitrare – ulja nuk duhet të rrezikojë furnizimin

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rritjen e fundit të çmimit të naftës, duke sqaruar rolin e Bordit të Transparencës dhe mekanizmat që ndikojnë në përcaktimin e çmimeve në tregun vendas.

Gjatë podcastit të së dielës “Flasim”, Rama theksoi se Bordi nuk vendos çmime në mënyrë arbitrare, por ndjek drejtpërdrejt lëvizjet e tregjeve ndërkombëtare.

Sipas tij, çdo ndryshim në çmimin e karburanteve në Shqipëri është pasojë e zhvillimeve në bursat ndërkombëtare dhe jo vendime të njëanshme të operatorëve vendas.

“Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me tregjet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se, megjithëse në ditët e fundit është regjistruar një ulje e çmimeve të nënprodukteve të naftës në bursën e Mesdheut, çdo ndërhyrje për uljen e mëtejshme të çmimit duhet të bëhet me kujdes, në mënyrë që të mos rrezikohen kapacitetet e furnizimit.

Ai nënvizoi se roli kryesor i Bordit të Transparencës është të mbrojë konsumatorët nga abuzimet, duke vendosur kufij të qartë për çmimet dhe duke ndëshkuar operatorët që nuk respektojnë rregullat, deri në pezullimin e aktivitetit.

Në përfundim, Rama garantoi se qeveria do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të sigurojë transparencë, ndërsa theksoi se kjo krizë lidhet me faktorë globalë që nuk varen nga Shqipëria.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related