Paulin Macaj
Në kujtim të të Lumit Dom Dedë Maçaj
Më 28 mars, kalendari kishtar përkujton të Lumin shqiptar Dom Dedë Maçaj, meshtar dhe martir, një dëshmi e gjallë e besimit, e së vërtetës dhe e sakrificës për Zotin dhe Atdheun.
Dom Dedë Maçaj lindi më 5 shkurt 1920 në fshatin Mal i Jushit. Që në rini, ai u dallua për përkushtimin dhe zellin në rrugën e meshtarisë. Studioi në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër dhe në Kolegjin Saverian, ndërsa më pas vijoi studimet filozofike dhe teologjike në Universitetin Papnor Urbaniana në Romë, ku u shugurua meshtar në vitin 1944.
Ai u kthye në Shqipëri pikërisht në fillimet e një prej periudhave më të errëta të historisë sonë — persekutimit të egër të fesë nga regjimi komunist.
Fillimisht shërbeu si zëvendës-famullitar në Katedralen e Shkodrës, pranë Dom Mikel Koliqit, ndërsa më pas u emërua administrator i famullisë së Sheldisë, duke pasuar martirët Dom Ndre Zadeja dhe Dom Lazër Shantoja. Ashtu si ata, edhe ai do ta vuloste shërbimin e tij me gjakun e martirizimit.
Dom Dedë Maçaj ishte një meshtar i ri, i zgjuar, i vendosur dhe i mbushur me dashuri për njerëzit. I qeshur, i thjeshtë dhe shpirtëror, ai i përkushtohej me gjithë zemër shërbimit të tij. Punoi pa u lodhur për edukimin shpirtëror, njerëzor dhe kulturor të fëmijëve dhe të rinjve, të cilët i nxiste të mësonin dhe të jetonin me vlera.
Por ky zell dhe ky ndikim tek të rinjtë nuk i pëlqente regjimit. Për pushtetin komunist, ai ishte një rrezik — një zë i së vërtetës që duhej shuar.
Në janar të vitit 1947, u thirr për shërbimin ushtarak. Para largimit, ai u tha besimtarëve:
“Kush dëshiron të marrë pjesë në Meshën e shenjtë, të vijë nesër, sepse që nesër nuk do të jem më famullitar këtu.”
Besimtarët e ndjenë se po e përcillnin për herë të fundit.
Gjatë shërbimit ushtarak, shërbeu si shofer i autoambulancës. Një vonesë e rastësishme për shkak të një defekti teknik u përdor si pretekst për arrestimin e tij. Më 10 mars 1947, ndërsa ishte i sëmurë, u arrestua dhe iu komunikuan akuza të sajuara për sabotim dhe spiunazh në favor të Vatikanit.
Ai u torturua në mënyrë çnjerëzore për të pranuar fajet e pavërteta, por nuk u dorëzua. Qëndroi i fortë në besim, duke ndjekur shembullin e Krishtit.
Më 28 mars 1947, në moshën vetëm 27 vjeç, u pushkatua në Përmet, pa gjyq.
Para se të jepte jetën, fjalët e tij ishin një dëshmi që kumbon edhe sot:
“Po më vrisni vetëm prej urrejtjes që keni për Kishën katolike.”
Në vitin 2016, ai u shpall i Lum së bashku me 38 martirë të tjerë të Kishës Katolike Shqiptare.
Por kjo histori nuk është vetëm e së kaluarës.
Një djalë 27-vjeçar, i pushkatuar sepse besoi. Sepse nuk e shiti të vërtetën. Sepse nuk e mohoi Zotin.
Kush e vrau? Jo një armik i huaj… por dora e vet shqiptarëve.
Historia jonë është e mbushur me gjakun e të mirëve — të besimtarëve, të dijetarëve, të drejtëve.
Ne nuk kemi vrarë vetëm njerëz… kemi vrarë besimin, shpresën dhe të vërtetën.
Sot jetojmë pasojat: një shoqëri e ftohtë, ku dashnia zbehet, smira rritet dhe vëllai kthehet kundër vëllait.
Dhe ajo që dhemb më shumë është kjo: nuk ka pendesë.
Nuk ka reflektim publik.
Nuk ka kërkim faljeje.
Sikur asgjë të mos ketë ndodhur…
O njeri, ndalu pak.
Mos e lexo këtë si histori të vjetër, por si pasqyrë të së sotmes.
Përballu me të vërtetën.
Është detyrë të zgjojmë ndërgjegjen tonë — fort, thellë, pa frikë.
🙏 Mos e shty për nesër. Pendesa është shpëtim.
Në kujtim të kushëririt tim, Dom Dedë Maçaj, që edhe sot prehet pa iu gjetur eshtrat.
🙏 Lutu për ne, Dom Dedë Maçaj.
