2 të vdekur në Lezhë, Gjin Gjoni: Autostrada mungon sepse qeveria vjedh

Data

Aksidenti tragjik me dy viktima dhe tre të plagosur në aksin Lezhë–Shkodër, si edhe seria e aksidenteve të ndodhura në Rrugën e Kombit, kanë sjellë reagimin e deputetit të Partisë Demokratike, Gjin Gjoni.

Në një deklaratë publike, Gjoni e cilësoi të papranueshme që aksi Lezhë–Shkodër vijon të mbetet me vetëm dy korsi, njësoj si dekada më parë, duke theksuar se mungesa e autostradës lidhet drejtpërdrejt me korrupsionin qeveritar dhe tenderat, sipas tij, të abuzuar.

Ai u ndal edhe te situata në Rrugën e Kombit, ku theksoi se mungesa e mirëmbajtjes gjatë dimrit, veçanërisht moskriposja e rrugës, ka sjellë një numër të lartë aksidentesh për shkak të ngricave.

Duke iu referuar aksidentit në fshatin Gocaj, ku humbën jetën bashkëshortët Petrit dhe Elona Florini nga Puka, Gjoni shprehu ngushëllime për familjarët dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, mes tyre edhe fëmijë.

Sipas tij, është “kriminale” që në vitin 2026 një nga akset kryesore që lidh Shqipërinë me Europën të jetë ende në kushte të amortizuara, ndërsa autoritetet rrugore dhe kompanitë kontraktuese nuk marrin masa minimale sigurie gjatë motit të keq.

Gjoni akuzoi qeverinë se, përmes korrupsionit dhe neglizhencës, po vë në rrezik jetën e qytetarëve dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related