Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kthyer Kuvendin në një “bunker personal”, me qëllim mbrojtjen nga drejtësia dhe shmangien e përgjegjësive politike.
Sipas tij, rasti i Belinda Balluku përfaqëson një moment kyç, jo vetëm për politikën e brendshme, por edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Këlliçi pretendon se qeveria ka dështuar në këtë “test”, duke bllokuar funksionimin normal të Parlamentit dhe duke shmangur debatin publik.
Ai theksoi se, sipas tij, kryeministri përdor një strategji të dyfishtë: nga njëra anë godet kundërshtarët politikë përmes drejtësisë, ndërsa nga ana tjetër mbron ose “sakrifikon” bashkëpunëtorë për të krijuar perceptimin e një lufte kundër korrupsionit.
Në këtë kontekst, Këlliçi deklaroi se në qarqet politike përflitet se pas çështjes së Ballukut, në fokus të drejtësisë mund të jetë edhe Taulant Balla.
Gjithashtu, ai ngriti akuza për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe për tentativa për të ndikuar vendimmarrjet gjyqësore, duke përmendur edhe rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin pretendoi se po kërkohet lehtësim i masave të sigurisë.
Në fund, deputeti kritikoi edhe qëndrimet e disa zyrtarëve europianë, duke thënë se përgjegjësia për korrupsionin nuk mund t’i faturohet qytetarëve, por institucioneve dhe qeverisë.
