Tonin Vocaj rezulton kandidati më i vlerësuar në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas raportimeve në media.
Ai ka marrë më shumë pikë në procesin e përzgjedhjes, duke u renditur i pari në listë, ndërsa pas tij vjen Lorenc Panganika, i konsideruar gjithashtu një pretendent serioz.
Tre emrat më të vlerësuar janë dërguar nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, për vendimmarrje përfundimtare tek kryeministri Edi Rama, i cili do të zgjedhë kandidatin fitues.
Gara për këtë post u hap pas largimit të Ilir Proda në fillim të muajit mars. Procesi përfshiu disa faza, duke kulmuar me intervistat finale për 14 kandidatët e mbetur në garë.
Komisioni i posaçëm, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera, ka bërë vlerësimin përfundimtar, ndërsa vendimi final pritet të merret në ditët në vijim.
Ky proces është ndjekur me vëmendje edhe nga partnerët ndërkombëtarë, duke reflektuar rëndësinë që ka drejtimi i Policisë së Shtetit për sigurinë dhe reformën në drejtësi në vend.
