Grupi i Pedagogëve të Stomatologjisë: Almiro Gurakuqi, “Presidenti i vetëshpallur” që po poshtëron elitën akademike me vula të dubluara

Data

Tiranë, 26 mars 2026 – Ne, një grup pedagogësh të Fakulteteve të Stomatologjisë, të cilët kemi investuar vite sakrificash, kërkimi shkencor dhe përkushtimi në auditore, ndjehemi të fyer dhe të denigruar nga veprimet e fundit të Almiro Gurakuqit. Ky individ, i cili vetëshpallet “President” i Urdhrit të Stomatologut, po tenton ta kthejë këtë institucion në një mjet presioni personal dhe administrativ.

Vite sakrificash përballë babëzisë së një uzurpatori

“Ne nuk jemi emra në një listë për t’u përdorur në betejat e humbura të Almiro Gurakuqit. Jemi mjekë dhe profesorë që kemi kontribuar në ngritjen e standardeve të stomatologjisë shqiptare. Është e papranueshme që ky ‘President i vetëshpallur’, i cili është shpallur i paligjshëm nga Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë më 12 nëntor 2025, të guxojë të kërkojë lista personeli me vula të dubluara”, thuhet në denoncimin tonë.

Mashtrimi me “vula të dubluara” dhe sfida ndaj drejtësisë

Almiro Gurakuqi po operon në një paligjshmëri të plotë. Duke refuzuar të pranojë vendimin përfundimtar të drejtësisë, ai po përdor vula të prodhuara në mënyrë të dyshimtë (të dubluara) për të firmosur shkresa drejtuar rektorateve dhe dekanateve. Ky është një mashtrim i hapur institucional, që synon të mbajë me forcë një post që nuk i takon më.

Thirrje për t’u distancuar nga paligjshmëria

U bëjmë thirrje të gjithë atyre personave që ende e ndjekin Gurakuqin në këtë aventurë të dëshpëruar: mos pranoni të bëheni pjesë e një mashtrimi me pasoja të rënda. Çdo punonjës administrate apo anëtar që mbështet këtë uzurpim, rrezikon të bëhet bashkëpunëtor në një vepër penale. Kur ligji të vihet në vend – dhe kjo është e pashmangshme – përgjegjësia nuk do të jetë vetëm individuale.

Institucionet të ndalojnë mashtrimin

I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe rektorëve të universiteteve:

  • Të mos njohin asnjë dokument që mban vula të tjera përveç asaj origjinale, të certifikuar në vitin 2015;
  • Të refuzojnë çdo kërkesë të Almiro Gurakuqit, pasi ai nuk ka asnjë mandat ligjor për të kërkuar të dhëna personale të pedagogëve.

“Drejtësia mund të vonojë, por zbatimi i vendimit të Apelit është i pashmangshëm. Almiro Gurakuqi duhet të dorëzojë menjëherë zyrat dhe vulat e dubluara. Profesioni ynë nuk mund të mbahet peng nga ambicia dhe babëzia e një individi që ka humbur çdo lidhje me ligjin dhe etikën.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related