Një skandal i pazakontë ka tronditur politikën britanike, pasi është zhdukur telefoni i Morgan McSweeney, një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit Keir Starmer.
Rasti ka ngritur dyshime të forta për fshehje provash, pasi pajisja përmbante komunikime sensitive me figura të rëndësishme politike.
Sipas mediave, në telefon ndodheshin biseda me Peter Mandelson, një figurë e debatueshme për shkak të lidhjeve të tij me financierin e dënuar Jeffrey Epstein. Publikimi i këtyre mesazheve pritej të krijonte një krizë të re politike, sidomos për mënyrën e emërimit të Mandelson në poste të rëndësishme.
Ngjarja u bë edhe më e dyshimtë pasi telefoni u zhduk papritur dhe përmbajtja e tij u fshi nga distanca. Vetë McSweeney ka dhënë deklarime kontradiktore për vendin dhe rrethanat e vjedhjes, ndërsa kur raportoi rastin në polici nuk u identifikua si zyrtar i lartë, por vetëm si posedues i një telefoni qeveritar.
Policia, në një veprim të rrallë, publikoi regjistrimin e telefonatës së tij, duke lënë të kuptohet se versioni i dhënë nuk ishte bindës dhe se ekzistojnë dyshime serioze mbi këtë çështje.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Britani. Opozita konservatore e cilëson si “mbulim skandali”, ndërsa Nigel Farage ironizoi duke thënë se zhdukja e telefonit është “shumë e përshtatshme”. Edhe brenda vetë laburistëve janë shfaqur dyshime dhe pakënaqësi për mënyrën si është menaxhuar situata.
Skandali lidhet edhe me rolin e McSweeney në rekomandimin dhe verifikimin e Mandelson, pavarësisht lidhjeve të tij të njohura me Epstein. Situata u përkeqësua më tej kur Mandelson u tërhoq nga posti dhe u mor në pyetje nga autoritetet për dyshime mbi ndarjen e informacionit qeveritar.
McSweeney ka dhënë dorëheqjen që në muajin shkurt, por zhdukja e telefonit po shihet si një zhvillim i rëndë në një moment delikat për qeverinë. Dyshohet se mesazhet e fshira mund të përmbanin detaje komprometuese për prapaskenat e qeverisë, përfshirë komunikime të brendshme mbi vetë kryeministrin dhe ministra të tjerë.
Skandali pritet të thellohet, ndërsa presioni politik ndaj qeverisë britanike vijon të rritet.
