Gjykata ka vendosur lirimin e 15 protestuesve të arrestuar pas protestës së fundit të opozitës, duke u caktuar atyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Pas tubimit, policia kishte shoqëruar në total 23 persona, mes tyre edhe 4 të mitur, të cilët u liruan pas verifikimeve fillestare. Ndërsa për 15 prej tyre u vendos arrestimi, deri në shqyrtimin e masës nga gjykata, e cila tashmë ka vendosur lirimin me detyrim paraqitjeje.
Protesta u shoqërua me tensione që në fillim, ku u raportua përdorimi i molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të institucioneve. Nga ana tjetër, forcat e policisë ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me përbërje irrituese për të shpërndarë turmën.
Gjatë përplasjes pati edhe incidente fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Në momente të caktuara tensioni, edhe deputetë të Partisë Demokratike, si Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Xhelal Mziu, u përfshinë në debate dhe akuza ndaj policisë.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar politike, ku protestat e opozitës janë shoqëruar shpesh me përplasje dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
