Detaje të reja dhe rrëfime të dhimbshme kanë dalë në dritë pas krimit të rëndë në Roskovec, ku një i moshuar vrau bashkëshorten dhe më pas humbi jetën edhe vetë.
Vëllai i viktimës, Ermal Azizaj, tregoi se lajmin e mori në mënyrë të papritur nga nipi i tij, duke përshkruar momentin si tronditës dhe të vështirë për t’u përballuar.
“Fillimisht nuk e hapa telefonin, por ndjeva diçka. Kur e mora në telefon, më thanë: ‘Kanë vdekur të dy… e ka vrarë’”, rrëfeu ai.
Mes dhimbjes, Azizaj deklaroi se autori kishte qenë problematik prej vitesh dhe se marrëdhëniet familjare kishin qenë të vështira. Sipas tij, sjellja e tij ishte shpesh agresive dhe konfliktuale.
Ai shtoi se edhe më herët kishte pasur shenja shqetësuese, duke përmendur një tentativë të mëparshme për t’i dhënë fund jetës rreth 20 vite më parë, si dhe episode të vazhdueshme konfliktesh në familje.
Sipas dëshmisë, vetëm pak ditë para ngjarjes kishte pasur një tjetër përplasje, madje ishte kërkuar edhe ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.
“Ka qenë i dhunshëm, por nuk menduam kurrë që do të arrinte deri këtu”, u shpreh ai.
Familjarët e viktimës kanë vendosur që ajo të varroset pranë prindërve të saj, ndërsa për autorin, sipas tij, nuk ka pasur interes nga të afërmit për ta tërhequr trupin.
Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë tragjedi familjare.
