Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka reaguar ashpër ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë si një luftë të paligjshme të drejtuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit në Ankara, Erdogan deklaroi se, ndonëse konflikti lidhet drejtpërdrejt me Izraelin, pasojat po i ndjen e gjithë bota.
“Është lufta e Netanyahut për pushtet, por 8 miliardë njerëz po paguajnë çmimin”, u shpreh ai, duke theksuar ndikimin e rëndë që situata ka në ekonominë globale dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se tensionet mes Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani rrezikojnë të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë rajonal.
Erdogan bëri thirrje që të mos lejohet sabotimi i përpjekjeve diplomatike, duke kritikuar atë që e quajti qëndrim “maksimalist dhe radikal” të Izraelit.
Ai shtoi se Turqia synon të qëndrojë larg përshkallëzimit të konfliktit dhe të shmangë përfshirjen në një “unazë zjarri”, duke paralajmëruar se një luftë rajonale do të kishte pasoja shkatërruese për të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta dhe përpjekjet për një zgjidhje diplomatike janë ende të pasigurta.
