Dalje të reja po hedhin dritë mbi krimin e rëndë në familje që tronditi fshatin Kuman të Roskovecit, ku një 80-vjeçar vrau bashkëshorten dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, i moshuari Shefit Rrapaj fillimisht ka tërhequr zvarrë bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, nga oborri i banesës drejt brendësisë së shtëpisë. Më pas, ai dyshohet se e ka qëlluar për vdekje me armë gjahu.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet, ndërsa banorët janë shprehur të shokuar për mënyrën e rëndë si ka ndodhur krimi.
Burime paraprake bëjnë me dije se 80-vjeçari kishte shfaqur më herët probleme dhe dyshohet se kishte tentuar edhe më parë të dëmtonte veten, një element që po verifikohet nga hetuesit si pjesë e pistave të mundshme.
Aktualisht, grupi hetimor po merr në pyetje banorë dhe familjarë për të zbardhur motivet, të cilat mbeten ende të paqarta. Nuk përjashtohet mundësia e konflikteve familjare apo problemeve shëndetësore si faktorë që mund të kenë ndikuar në këtë akt ekstrem.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të sqaruar shkaqet që çuan në këtë tragjedi të dyfishtë.
