Procesi për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka hyrë në një fazë vendimtare, ndërsa kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari kanë zhvilluar një takim në Vilën 30, pak para nisjes së intervistave për kandidatët.
Sot në orën 10:30 ka nisur faza e intervistimit për 14 kandidatët që janë në garë për postin e kryepolicit, pasi dy aplikante u skualifikuan në fazën paraprake. Komisioni vlerësues në Ministrinë e Brendshme ka shqyrtuar dosjet dhe do të kryejë pikëzimin e kandidatëve pas intervistave.
Pas përfundimit të kësaj faze, ministri Lamallari pritet që brenda 48 orësh t’i propozojë një emër Këshillit të Ministrave për emërim. Megjithatë, ligji parashikon që zgjedhja nuk është domosdoshmërisht e lidhur me kandidatin që renditet i pari, duke i lënë ministrit një hapësirë vendimmarrjeje.
Në garë janë disa emra të njohur të strukturave policore, përfshirë drejtues aktualë në qarqe dhe ish-drejtues të rëndësishëm të Policisë së Shtetit. Mes kandidatëve përmenden Tonin Vocaj, Skënder Hitaj, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Saimir Boshnjaku, si dhe drejtuesit e policisë në Vlorë, Durrës dhe Shkodër.
Posti i Drejtorit të Përgjithshëm mbeti vakant pas dorëheqjes së Ilir Prodës, ndërsa aktualisht detyrën e ushtron në mënyrë të komanduar Sokol Bizhga.
Zhvillimet e sotme tregojnë se vendimi për kreun e ri të Policisë së Shtetit është pranë, ndërsa takimi në Vilën 30 sinjalizon përfshirjen direkte të nivelit më të lartë politik në këtë proces të rëndësishëm.
