NATO drejt ndërhyrjes në Lindjen e Mesme për Hormuzin

Data

Presioni i vazhdueshëm i presidentit amerikan Donald Trump duket se ka vënë në lëvizje aleatët perëndimorë, me NATO-n që po shqyrton seriozisht një ndërhyrje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se është “absolutisht i bindur” që aleanca do të arrijë të sigurojë lirinë e lundrimit në këtë korridor strategjik, nga i cili kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.

Ai theksoi se vendet aleate kanë përdorur javët e fundit për të koordinuar veprimet dhe për të planifikuar një përgjigje të përbashkët, duke e cilësuar operacionin si “thelbësor” për shkak të kërcënimit nga Irani.

Sipas mediave ndërkombëtare, vendet evropiane si Britania, Gjermania, Franca, Italia dhe Holanda, së bashku me Japoninë, kanë nënshkruar një deklaratë për të shqyrtuar një mision të mundshëm në Hormuz, megjithëse ende mungojnë kushtet për një ndërhyrje të menjëhershme.

Ndërkohë, brenda Evropës ka hezitim për përfshirje direkte ushtarake, ndërsa disa vende po shqyrtojnë edhe reduktimin e pranisë së tyre në bazat në Lindjen e Mesme për shkak të rrezikut në rritje.

Një tjetër faktor i rëndësishëm mbetet roli i Kinës dhe Rusisë, të cilat deri tani nuk kanë dhënë sinjale të qarta për mbështetje në një mision ndërkombëtar, edhe pse Kina është ndër vendet më të varura nga rruga detare e Hormuzit.

Në këtë situatë, presioni amerikan ndaj aleatëve është rritur, ndërsa diplomacia brenda NATO-s po përpiqet të balancojë kërkesat e Uashingtonit me qëndrimet më të kujdesshme të vendeve evropiane.

Zhvillimet pritet të ndikojnë edhe në samitin e ardhshëm të NATO-s, ku çështja e Hormuzit dhe roli i aleancës mund të jenë në qendër të debatit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related