Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka komentuar protestën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një reagim të qytetarëve ndaj qeverisë.
I ftuar në një studio televizive, Hoxha deklaroi se në protestë nuk ka pasur dhunë, por vetëm irritim dhe revoltë të qytetarëve për situatën politike dhe ekonomike në vend.
“Protesta është një reagim qytetar ndaj një revolte të caktuar. Nuk ka dhunë, ka vetëm një irritim të njerëzve”, u shpreh ai.
Sipas tij, kërkesa kryesore e protestuesve është largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie besimi. Ai theksoi gjithashtu se opozita nuk ka alternativa të tjera përveç protestës për të shprehur pakënaqësinë.
Hoxha komentoi edhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke u shprehur se çdo garë për drejtimin e partisë është pozitive për demokracinë, ndërsa shtoi se Sali Berisha do të kishte një avantazh të madh në një garë të tillë.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protesta e opozitës është shoqëruar me debate të forta politike, pas incidenteve dhe përplasjeve me policinë gjatë tubimit.
