Protesta e opozitës në Tiranë/ PD thirrje strukturave: “Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës”

Data

Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e një proteste kombëtare ditën e diel në Tiranë, duke u bërë thirrje strukturave dhe mbështetësve të saj të marrin pjesë në tubim.

Sipas mesazhit të shpërndarë brenda partisë, opozita thekson se aksioni politik nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti, duke kërkuar gjithashtu krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

Në njoftim thuhet se protesta do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 18:00, ndërsa theksohet se pjesëmarrja konsiderohet si detyrë politike për mbështetësit e opozitës.

Mesazhi i PD përmban tone të forta politike, duke pretenduar se qeveria është e izoluar ndërkombëtarisht dhe në përplasje me drejtësinë, ndërsa theksohet se “rezistenca nuk ndalet”.

Nga ana tjetër, ende nuk është bërë e qartë forma që do të marrë protesta. Nuk dihet nëse ajo do të zhvillohet në mënyrë paqësore apo nëse mund të ketë tensione, siç ka ndodhur në disa tubime të mëparshme.

Protesta vjen në një klimë të tensionuar politike në vend, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë intensifikuar, ndërsa Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të opozitës kanë paralajmëruar vazhdim të aksionit politik në javët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related