Një operacion policor i zhvilluar në Sarandë ka çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike, të cilët kishin përshtatur një lavazh automjetesh si bazë për aktivitetin e tyre të paligjshëm.
Në pranga ranë Renato Makri, 51 vjeç dhe Ilir Prenga, 22 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Sipas Policisë, gjatë operacionit të koduar “Kamuflimi”, u zbulua se ambienti i lavazhit, i ndodhur në rrugën “Idriz Alidhima”, ishte përdorur si pikë shpërndarjeje për drogë.
Gjatë kontrollit në këtë ambient u sekuestruan:
- Rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa
- Materiale për ndarjen dhe paketimin e saj
- 2 targa automjetesh dhe 1 targë motomjeti
- Letër alumini
Autoritetet bëjnë me dije se aktiviteti kriminal ishte zhvilluar në mënyrë të kamufluar, duke përdorur lavazhin si mbulesë për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe lidhjeve të mundshme të personave të arrestuar.
