Partia Socialiste e Shqipërisë mblidhet sot në Asamblenë e saj kombëtare, në një takim që do të zhvillohet në zonën e Lalzit dhe që pritet të nisë në orën 10:00.
Mbledhja vjen në një moment kur kryeministri Edi Rama ka përfunduar disa ndryshime në qeveri dhe tashmë ka zhvendosur fokusin te riorganizimi i partisë.
Fjalën hapëse do ta mbajë Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, për t’ia kaluar më pas drejtimin e mbledhjes kryesocialistit Rama.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë:
- Riorganizimi i strukturave të partisë në të gjithë vendin
- Udhëzimet për zgjedhjet e brendshme
- Analiza e performancës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025
- Strategjia për zgjedhjet e ardhshme vendore në vitin 2027
Procesi i riformatimit do të përfshijë zgjedhjen e drejtuesve të rinj në nivel organizatash socialiste dhe forumeve të partisë, duke filluar nga baza. Ky proces pritet të përmbyllet më 12 qershor, datë që përkon edhe me 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste.
Kjo mbledhje konsiderohet si një hap i rëndësishëm për konsolidimin e strukturave të PS-së dhe përgatitjen për sfidat elektorale të ardhshme.
