Vizita e kryeministrit australian Anthony Albanese në xhaminë Lakemba në Sidnei gjatë faljes së Fitër Bajramit është shoqëruar me tensione dhe reagime kundërshtuese.
Albanese, së bashku me ministrin e Brendshëm Tony Burke, iu bashkuan mijëra besimtarëve për ceremoninë fetare, por një grup protestuesish ndërhyri duke fishkëllyer dhe duke bërtitur kundër tyre.
Sipas pamjeve të publikuara, disa persona i kërkuan politikanëve të largoheshin, ndërsa përdorën edhe thirrje të forta akuzuese. Situata u tensionua për disa minuta, derisa ndërhyri siguria, duke larguar një prej protestuesve.
Organizatorët e aktivitetit bënë thirrje për qetësi, duke kujtuar se ishte një ditë feste dhe bashkimi, megjithatë disa zëra kundërshtues vijuan edhe gjatë largimit të zyrtarëve.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar në Australi, ku pjesë të komuniteteve myslimane dhe hebraike kanë shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimeve të qeverisë për konfliktin në Lindjen e Mesme.
Nga ana e tij, kryeministri Albanese e minimizoi incidentin, duke e cilësuar si një reagim të izoluar në një turmë të madhe besimtarësh dhe duke theksuar se pjesa dërrmuese e aktivitetit ishte pozitive.
