Fundjava e festave nuk do të sjellë pushim për politikën shqiptare, pasi dy forcat kryesore në vend kanë paralajmëruar zhvillime të rëndësishme.
Paraditen e së shtunës, Partia Socialiste e Shqipërisë do të zhvillojë Asamblenë Kombëtare në zonën e Lalëzit, ku në fokus do të jetë organizimi i brendshëm dhe ristrukturimi i partisë.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohen ndryshime në strukturat drejtuese të degëve, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke sinjalizuar nisjen e një faze të re organizimi politik për socialistët.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Shqipërisë ka paralajmëruar një protestë kombëtare të dielën pasdite, duke vijuar aksionin opozitar kundër qeverisë.
Opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa protesta pritet të mbledhë mbështetës nga e gjithë vendi.
Këto zhvillime tregojnë se, pavarësisht festave, përplasja politike në vend mbetet aktive dhe pritet të intensifikohet në ditët në vijim.
