Deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi pasurinë e ish-drejtoreshës së AKSHI, Mirlinda Karçanaj, kanë nxitur debat publik, pasi sipas verifikimeve rezulton një situatë ndryshe nga ajo e deklaruar.
Ndërsa Rama kishte pohuar se Karçanaj jeton në një banesë me qira, të dhënat e siguruara nga deklaratat pasurore ndër vite tregojnë se ajo zotëron disa pasuri të paluajtshme.
Sipas analizës së këtyre deklaratave, Karçanaj rezulton të ketë në pronësi katër apartamente – dy në bashkëpronësi dhe dy në pronësi të plotë – si dhe një ullishte me sipërfaqe rreth 1,500 metra katrorë.
Pasuritë janë krijuar ndër vite përmes blerjeve dhe trashëgimisë, ndërsa disa prej tyre janë rivlerësuar në vlera më të larta në deklarimet e mëvonshme.
Rasti ka marrë vëmendje të shtuar edhe për shkak të hetimeve të SPAK ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, e cila ndodhet aktualisht në masë sigurie “arrest shtëpie”, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim.
Dosja hetimore përshkruan një skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike në institucionin që menaxhon shërbimet digjitale të shtetit, duke e kthyer këtë çështje në një nga më të ndjeshmet për sistemin e drejtësisë.
Ndërkohë, publikimi i të dhënave mbi pasuritë ka shtuar polemikat politike dhe debatet mbi transparencën dhe deklarimet e zyrtarëve të lartë në vend.
