Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Instituti Mbretëror Elcano në Madrid, ku u fokusua në çështjet strategjike që lidhen me të ardhmen e Bashkimit Europian.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë stabilitetin dhe sigurinë e Europës.
Gjatë takimit me drejtuesin Charles Powell dhe ekspertët e institutit, u zhvillua një analizë e thelluar mbi sfidat aktuale me të cilat përballet Bashkimi Europian dhe NATO.
Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë situatën në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, duke reflektuar mbi ndikimin e tyre në sigurinë rajonale dhe globale.
Sipas ministrit, këto shkëmbime mendimesh dhe vlerësime kontribuojnë në forcimin e një Europe më të sigurt, më të integruar dhe më të qëndrueshme.
