Seanca e parë në themel për një nga fraksionet e dosjes së ARRSH ka dështuar sërish, duke shtyrë edhe një herë nisjen e gjykimit për të pandehurit, mes tyre Evis Berberi dhe mbi 20 persona të tjerë.
Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës të Berberit. Njëri prej tyre ka paraqitur raport mjekësor, ndërsa për avokatin tjetër, Gentian Rumano, gjykata vlerësoi se mungesa nuk ishte e justifikuar, duke vendosur ndaj tij një gjobë prej 500 mijë lekësh të vjetra.
Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 1 prill, ndërsa procesi vijon të zvarritet për shkak të pengesave procedurale.
Ndaj të pandehurve rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë “shkeljen e barazisë në tendera dhe ankande publike”, “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “falsifikim dokumentesh”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.
Në këtë çështje janë përfshirë gjithashtu edhe dy kompani, të cilat po gjykohen veçmas me procedurë të zakonshme.
Procesi konsiderohet një nga çështjet më të rëndësishme që lidhen me dyshimet për abuzime në tendera publikë, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi përgjegjësitë individuale.
