“39 milionë euro dëm nga CEZ-DIA”, juristi Romeo Kara zbardh skemën: Vizita e Metës dhe Ismailajt në Pragë dhe pagesat për punë të pakryera

Data

Dosja e shumëpërfolur CEZ-DIA, e lidhur me çështjen ndaj Ilir Meta dhe të tjerëve, ka hyrë në një fazë të re pasi kaloi për gjykim pas disa muajsh seancë paraprake.

Juristi Romeo Kara, një nga denoncuesit e kësaj afere, ka zbardhur detaje të reja mbi mënyrën se si, sipas tij, u realizua skema që i shkaktoi shtetit shqiptar një dëm të konsiderueshëm financiar.

Sipas Karës, biznesmeni Kastriot Ismailaj ka përdorur pa autorizim emrin e kompanisë DIA në SHBA për të krijuar një imazh të rremë kapaciteti përballë Bordit të kompanisë çeke CEZ në Pragë, duke siguruar kështu një kontratë që nuk përmbushte kushtet reale.

Ai thekson se para një vizite në Pragë në fund të vitit 2010 nga Meta dhe Ismailaj, kompania CEZ kishte kryer pagesa urgjente prej 4.5 milionë eurosh (tre fatura nga 1.5 milionë euro) për punë të pakryera, duke e cilësuar këtë si një “vullnet të mirë” nga pala çeke.

Kara pretendon gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë veprime për të shmangur praninë e ambasadorit shqiptar në takime të rëndësishme, ndërsa më pas janë marrë vendime që favorizonin kompaninë CEZ në dëm të shtetit shqiptar, përfshirë uljen e çmimit të energjisë elektrike.

Sipas tij, vetëm nga ky mekanizëm, dëmi minimal i shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në rreth 39 milionë euro, ndërsa përfitimet janë ndarë mes personave të përfshirë në skemë.

Ndërkohë, çështja CEZ-DIA mbetet një nga dosjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa pritet që procesi gjyqësor të zbardhë më tej përgjegjësitë dhe rolin e secilit të përfshirë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related