Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka deklaruar nga Bundestag se korrupsioni mbetet pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë një lidhjeje direkte, Balliu zbardhi detaje nga takimet që delegacioni i PD-së, i udhëhequr nga Gazment Bardhi, po zhvillon në Gjermani me përfaqësues të lartë të CDU-së, përfshirë edhe Patricia Lips.
Sipas tij, në fokus të diskutimeve kanë qenë sfidat që përballet Shqipëria në rrugën drejt BE-së, veçanërisht korrupsioni dhe standardet demokratike.
“Korrupsioni është një vrimë e zezë, një mur që bllokon rrugën e Shqipërisë drejt BE. Nuk mund të bëjmë kurban integrimin për interesa financiare dhe ekonomike të Ramës”, u shpreh Balliu, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
Ai theksoi se delegacioni opozitar ka një axhendë intensive takimesh në Gjermani, përfshirë edhe institucione të tjera si Ministria e Jashtme, ku po prezantohen shqetësimet mbi situatën politike dhe institucionale në vend.
Balliu shtoi se Gjermania është e mirëinformuar për zhvillimet në Shqipëri dhe mbështet integrimin, por kërkon progres konkret në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.
Sipas tij, Partia Demokratike e konsideron integrimin europian si të vetmen rrugë për vendin dhe do të vijojë angazhimin për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
