SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen e njohur si “Bankers”, duke komunikuar akuzat për gjashtë të pandehur, në një nga çështjet më të mëdha që lidhen me sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri.
Sipas të dhënave hetimore, akuzat janë ngritur ndaj Leonidha Çobo, Ritvan Zoto, Elvira Plaka si dhe tre ish-punonjësve të Ministrisë së Financave. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve, të pandehurit dyshohet se kanë krijuar skema abuzive, duke blerë prona dhe më pas duke i dhënë ato me qira me vlera të larta kompanisë Bankers Petroleum, duke përfituar në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria ka evidentuar një sërë veprash penale, përfshirë fshehjen e të ardhurave, krijimin e skemave mashtruese me TVSH-në, korrupsionin dhe përfshirjen në grup të strukturuar kriminal.
Hetimet janë drejtuar nga prokuroret Anita Jella dhe Enkeleida Millonai, ndërsa çështja ka përfshirë edhe verifikimin e veprimeve të organeve tatimore ndër vite, të cilat dyshohet se kanë lejuar këto abuzime.
Sipas SPAK, kompania ka realizuar shitje dhe eksporte nafte me vlerë rreth 532 miliardë lekë, por ka deklaruar humbje të vazhdueshme, duke shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Për shkak të kompleksitetit të çështjes, GJKKO ka miratuar më herët zgjatjen e afatit të hetimeve, ndërsa procedurat pritet të vijojnë me fazën gjyqësore për zbardhjen e plotë të kësaj afere.
